U hakmorr ndaj pronarit italian për heqjen nga puna. Altin Merxhushi goditi me thikë Viktor e Roxhersa Rapollari dhe Massimo Sorvillo

Altin Merxhushi autori i plagosjes së trefishtë në Laprakë të Viktor e Roxhersa Rrapollari dhe Masimo Sorvillo është vetë-dorëzuar pranë komisariatit nr.3 në Tiranë. Ai është paraqitur disa orë pas ngjarjes i shoqëruar nga avokati i tij dhe është marrë në pyetje menjëherë lidhur me arsyet që e çuan në kryerjen e krimit.

“Sipas policisë, shkak për plagosjen e mbrëmjes së të hënës është bërë largimi nga puna të autorit nga ana e pronarit të kësaj fabrike, një shtetas italian.”

Kjo është pohuar edhe nga autori gjatë deklarimeve paraprake, që si pas tij 45-vjeçari italian Massimo Sorvillo e kishte hequr pa të drejtë nga puna, pavarësisht se e kishte ndihmuar për të hapur punishten e përpunimit dhe tregtimit të produkteve të bulmetit.

Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Sorvillo, i cili është shprehur se e ka larguar pasi nuk i pëlqente mënyra sesi punonte. Për autorin ngjarja ka ndodhur pasi vetë të plagosurit e kanë provokuar të parët kur po kalonte përballë lokalit.

Në pyetje është marrë Roxhersa Rrapollari, bashkëshortja e italianit, vajza e të plagosurit tjetër Viktor Rrapollari. Ajo ka rrëfyer se po qëndronte me bashkëshortin dhe babain në lokalin që e kanë me qira në rrugën “Riza Cuka”.

Sipas 40-vjeçares autori Merxhushi, fillimisht ka debatuar me italianin duke i kërkuar llogari pse e ka hequr nga puna. Ajo pohon se në debat e sipër ai ka nxjerrë thikën dhe ka plagosur fillimisht Viktor Rrapollarin, që ndërhyri për të qetësuar situatën.

Por kur ka parë të atin të plagosur ajo shprehet se ka ndërhyrë dhe është plagosur edhe ajo. Më pas mësohet se Merxhushi ka plagosur në kraharor italianin Sorvillo. Ky i fundit ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe babain e saj. 64-vjeçari Viktor Rrapollari ndodhet ende nen kujdesin shëndetësor.

Klan News