Policia e Durrësit ka arrestuar 33-vjeçarin e dyshuar që mbrëmjën e së martës plagosi me armë nënë e bir pas një sherri për vendin e parkimit. Në pranga ka rënë i dyshuari Ergys Juba nga Peqini. 33-vjeçari u kap në Elbasan pasi ishte arratisur pas ngjarjes.

Mes tij dhe 23-vjeçarit Flamur Çerma pati një sherr me sende të forta për vendin e parkimit në lagjen Nr.12 në Durrës. Më pas konflikti u përshkallëzua dhe 33-vjeçari Juba qëlloi me armë Flamur Çermën. Nëna e këtij të fundit, ndërhyri për të mbrojtur të birin por mbeti edhe vetë e plagosur nga të shtënat me armë. Nënë e bir u dërguan në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Durrësit sqaron se në konflikt u përfshinë 7 persona. Fillimisht sherri kishte nisur mes vëllait të autorit të dyshuar dhe të plagosurit, konkretisht mes Zyber Jubës dhe Orges Çermës. Këta të fundit ishin goditur me sende të forta.

Më pas kishte ndërhyrë Flamur Çerma dhe nëna e tij Valbona Çerma 51 vjeçe, të cilët u qëlluan me armë nga Ergys Juba, vëllai i Zyber Jubës. Për këtë ngjarje, në kërkim është shpallur edhe vëllai tjetër i autorit të dyshuar, Altin Juba 34 vjeç dhe shoku i tij Olsion Nexha, si persona që u përfshinë në ngjarje. Ata akuzohen nga Policia e Durrësit për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe Orges Çerma, vëllai i të plagosurit Flamur Çerma, pasi akuzohet për dëmtime të tjera me dashje të shkaktuara ndaj Zyber Jubës.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe pistoletën e krimit, që ishte hedhur nga autori në një distancë të largët nga vendi i ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.  /tvklan.al