Në emisionin Historia Ime në Tv Klan ka ardhur një kërkesë ndryshe nga një nënë. Djali i saj ndodhet në Burgun e Zaharisë ndërkohë që prej tre vjetësh pret gjykatën të vendosë për fatin e tij.

Në shtator të vitit 2017, Ramadan Marku plagos me thikë një polic në Kamëz për arsye të panjohura. Prej asaj dite nëna e 20-vjeçarit kërkon të njihet me dënimin që do t’i jepet djalit të saj dhe nuk kupton pse po zvarritet kaq gjatë ky proces gjyqësor.

Ajo ka qenë në studion e Historia Ime për të kërkuar përgjigje për pikëpyetjet e saj lidhur me vendimin e munguar të gjykatës për veprën penale që ka kryer i biri në 17 shtator 2017.

Mirela Milori: Gjithçka ka shkuar mirë me ta, deri para tre vitesh, kur jeta juaj do të merrte një tjetër rrjedhë. Çfarë ndodhi në Shtator të 2017-ës?

Manushaqe Marku: Unë isha tek puna si përditë. I lashë në gjumë burrin, Ramadanin dhe vajzën. Djali i madh ishte në punë në Kosovë. Me bie një numër telefoni. Kur më ra për së treti e hapa dhe më thotë jam inspektori i rajonit në Kamzë, nëse je e mundshme hajde paraqitu. Më pyeti nëse kishim ndonjë problem, konflikt, pronë apo ndonjë gjë tjetër, por unë i thashë që nuk kam prona.

Mirela Milori: Më 2017 djali jot Ramadan Marku plagos një polic, dihet ndonjë konflikt të hershëm?

Manushaqe Marku: Jo, jo, unë as si polic nuk e njihja kush ishte.

Mirela Milori: Si ka ndodhur ngjarja, për çfarë ndodhi?

Manushaqe Marku: As ai nuk e di, ka qenë pa vetëdije, është çuar nga gjumi, direkt ka dalë, kur polici ka kaluar rrugën janë përballur dhe ka ndodhur. Të gjithë që e kanë parë kanë thënë se nuk ndodhi asnjë konflik asgjë, vetëm kanë parë që polici ka rënë në tokë.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi me Ramadanin më pas, a doli në gjyq?

Manushaqe Marku: Në gjyq e kanë nxjerrë herë pas here por e anullonin muaj për muaj. Kishte raste që nuk më tregonin as muajin e gjyqit, vetëm kur më merrte në telefon Ramadani, kam qenë për gjyq o mami më thoshte.

Mirela Milori: A ka marrë ndonjë vendim gjykata?

Manushaqe Marku: Nuk e kanë dënuar, që tre vite, është në paraburgim në burgun e Zaharisë, që quhet spitali i burgjeve.

Mirela Milori: Nga se vuan Ramadani, nga çfarë vuan djali jot, çfarë kanë thënë mjekët?

Manushaqe Marku: Asnjë gjë nuk më thonë, as mjekët, asgjë.

Mirela Milori: A ka pasur më përpara raste që të humbiste vetëdijën në familje?

Manushaqe Marku: Jo, jo ishte shumë i heshtur.

Mirela Milori: Ka një avokat djali jot?

Manushaqe Marku: I ka vënë shteti një avokat, por ai kërkonte lekë dhe unë nuk kisha mundësi t’i jepja asgjë. Më kërkoi të paktën një 500 mijëshe.

Mirela Milori: Po për shëndetin mendor a të ka thënë gjë avokati apo përfaqësuesi ligjor që cili është statusi i djalit tënd?

Mirela Milori: Jo, asnjë fjalë, nuk më ka thënë asnjë njeri. Unë kërkoj që t’i japin një dënim, aq sa e meriton, mos e lënë këtu nëpër burgje kot pa lidhje sa atje sa atje.

Gjatë emisionit Manushaqja ka treguar se është dhunuar edhe shpesh nga bashkëshorti i saj agresiv, madje edhe ai është futur një vit burg për shkak të dhunës që ka ushtruar ndaj saj, duke i lënë edhe një shenjë në ballë. Ajo tregon se as fëmijët nuk shkuan të shihnin të atin në burg pas kësaj ngjarje.

Sipas Manushaqes, Ramadani duke i ditur raportet e të atit dhe të ëmës dhe dhuna që i ushtroheshe asaj, ka ndikuar shumë tek ai. /tvklan.al