1 i vrarë dhe mbi 10 të lënduar me thikë në javën e fundit

Ka zgjatur vetëm pak orë arratia e 18-vjeçarit, i cili mesditën e kësaj të premte plagosi me thikë tre bashkëmoshatarë të tij në Shkodër.

Për shkak të presionit të policisë dhe falë negociatave me familjarët, autori i identifikuar si Aldo Hasani u vetëdorëzua në polici rreth orës 20:00 të mbrëmjes.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” pranë gjimnazit ‘18 Nëntori’ dhe mësohet se shkak për të është bërë një konflikt për motive banale.

Policia njoftoi se tre shtetasit e plagosur u dërguan në spital dhe dy prej tyre pasi morën ndihmën mjekësore u larguan për në shtëpi, ndërsa i treti vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Javët e fundit janë regjistruar disa ngjarje të cilat kanë pasur të plagosur ose viktima me mjet prerës thikë.

Katër ditë më parë një sherr në një lokal në zonën e Laprakës, çoi në plagosjen  e 3 personave.

Në Kavajë, ngjarja e rëndë me dy viktima, gjithashtu pati përdorim të thikës, teksa në Tepelenë bashkëshoriti plagosi bashkëshorten.

Ditën e djeshme dy të rinj mbetën të plagosur duke përdorur mjete prerëse në Durrës, ndërsa në mbrëmjen e së enjtes edhe në Shijak u regjistrua në tjetër ngjarje ku si mjet dëmtues është përdorur thika.  

Tv Klan