Policia e Shkodrës ka sqaruar dinamikën e plagosjes së 52-vjeçarit Ardian Narkaj. Në një njoftim për mediat, autoritetet sqarojnë se sot është zhvilluar operacion në bashkëpunim me forcat RENEA, pasi kishin marrë informacion për vendndodhjen e Narkaj, i cili ishte në kërkim prej 10 vitesh për një vrasje të dyfishtë.

Operacioni është zhvilluar në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” Bratosh të Malësi e Madhe. Forcat speciale RENEA kanë rrethuar njëqstan bagëtish ku fshihej Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar.

Po ky person nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ky person ishte i armatosur dhe i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.

Ardian Narkaj nuk i është bindur as urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet sërish, në këtë moment është bërë plagosja e tij me qëllim për ta neutralizuar dhe për ta kapur.

52-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga  Renea dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në  gjendje të stabilizuar.

Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje./tvklan.al