Plagosja në Shkodër, autori i dyshuar përdor dy identitete



Plagosja në Shkodër, autori i dyshuar përdor dy identitete

11:36 29/04/2020

Policia e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e djeshme që ndodhi në Urën e Bunës, ku u qëllua me armë një 50-vjeçar me iniciale G.B.

Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar. Ai është një 59-vjeçar me dy identitete, H.I. alias B.I.

Ky i fundit është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve të rënda.

Sherri mes dy personave ndodhi për motive pronësie, thotë policia. Pas qëlloi me armë 50-vjeçarin, autori dyshohet se hodhi pistoletën në lumin Buna. Autori i dyshuar akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës:

Falë reagimit në kohë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në lidhje me një konflikt që po ndodhte te Ura e Bunës dhe për pasojë ishte plagosur një shtetas, u bë e mundur që në kohë rekord të kapej dhe të shoqërohej në Polici autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. I., alias B. I., 59 vjeç, banues në Shkodër, pasi ky shtetas, për motive pronësie, plagosi me armë zjarri shtetasin G. B, 50 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për gjetjen e armës, pasi dyshohet se autori, pas plagosjes, mund ta ketë hedhur armën në lumin Buna. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë”. /tvklan.al



Të ngjashme