Policia e Tiranës arrestoi Miklar Tolën, si autorin e plagosjes së aktorit Mishel Manokut, pranë gjimnazit “Partizani”, në rrugën “4 Dëshmorët”, rreth orës 21:10 të së enjtes.

31 – vjeçari Tola, të cilin e shihni në këtë foto, u arrestua nga efektivët Komisariatit Nr.4, në Kombinat, disa orë pas krimit.

Të premten paradite, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorin e tij Ervin P.

Tola qëlloi tetë herë ndaj Manokut, ndërsa miku i tij e ndihmoi të largohej.

Disa dëshmitarë thanë se ai iu afrua dhe e qëlloi nga fare afër.

I plagosuri, i njohur edhe me emrin Mishel Prela, mori dy plagë në trup dhe në këmbë. Ai kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu, ku ishte dënuar me 4 vjet, pas një plagosjeje të kryer në vitin 2014.

Hetuesit dyshojnë se plagosja ka lidhje pikërisht me këtë histori.

Policia heton edhe pistën e një konflikti që lidhet edhe me përfshirjen e palëve në aktivitet të paligjshme në kryeqytet.

I plagosuri Manoku, i pyetur nga policia nuk ka pranuar të japë deklarime mbi konfliktin me atentatorët dhe ka deklaruar se nuk i njihte ata dhe se nuk kishte konflikte.

Mishel Manoku është një emër i njohur për publikun shqiptar, pasi ka qenë protagonist kryesor në rolin e Saimirit, filmin me emrin të njëjtin emër, të regjisorit italian Francesko Munzi.

Tv Klan