Një person është dhunuar me sende të forta dhe ka mbetur i plagosur jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë tek rrethrrotullimi i rrugës së Elbasanit në drejtim të Saukut.

Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri me iniciale S.Xh. 38 vjeç u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Sanatoriumit.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes dy personave.

Burime nga vendngjarja thanë se kanë qenë kalimtarë të rastit që njoftuan ambulancën, pasi panë 38-vjeçarin të shtrirë në tokë. Ai ka pësuar dëmtime në kokë dhe në këmbë. Fillimisht, Policia e Tiranës tha se 38-vjeçari ishte plagosur me armë zjarri.

Uniformat blu që kanë shkuar në vendngjarje kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorin.

Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:

Rreth orës 18:20, ka mbërritur me ambulancë në spital, jashtë rrezikut për jetën  shtetasi S. Xh.,38 vjeç, i cili kishte dëmtime në kokë dhe ne këmbët, ku paraprakisht u dyshua se ishte plagosur me armë zjarri.

Nga këqyrja e mëtejshme e bërë nga mjekët rezultoi se dëmtimet janë shkartuar me mjete të forta dhe jo nga armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur ne afërsi të rrethrrotullimit të rrugës së Elbasanit në drejtim të Saukut, ku fillimisht shtetasi S.Xh,  është transportuar me një automjet drejt Sanatoriumit në Sauk dhe më pas është kërkuar ndihma e ambulancës e cila e ka transportuar në SQU për ndihmë mjekësore.

Nga veprimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti me një shtetas tjetër. Personat që e kanë transportuar drejt Sanatoriumit  me mjet janë  shoqëruar në ambientet e Komisariat të Policisë Nr 1 për sqarimin e  rrethanave te ngjarjes. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. /tvklan.al