Balluku: Nëse ka defekte nga ngarkesat duhet riparim i shpejtë

Energjia elektrike për ditën e fundit të vitit është e siguruar, ndërsa Operatori i Shpërndarjes së energjisë sapo ka përfunduar edhe procedurën e blerjes së sasisë së energjisë prej 80 mijë megavat orë për ditët e para të Janarit. Furnizimi me energji për javën e parë i ka kushtuar kompanisë 5 milionë euro me një çmim prej 62.8 eurosh për megavat Orë.

Ministrja Belinda Balluku i ka mbledhur drejtuesit e OSHEE dhe Operatorit të Transmetimit, ku i ka kërkuar marrjen e masave të plota për të përballuar ngarkesën e natës së ndërrimit të viteve.

Nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së energjisë janë vënë 1700 punonjës në grupet e terrenit, të cilët në pikat ku rrjeti është i vjetër e problematik do të marrin masa për të riparuar në kohë të shpejtë nëse ndodh një defekt. Administratori i OSHEE-së tha se temperaturat e ulëta e bëjnë më të vështirë punën.

Përmes një programi janë identifikuar të gjitha pjesët e rrjetit të cilët do të kenë ngarkesën më të madhe, për të bërë menaxhimin dhe shpërndarjen e energjisë në linja të tjera më pak të ngarkuara. Kompania ofron falas shërbimin call center për të raportuar çdo defekt, ndërsa spitalet, burgjet, hidrovoret dhe zonat e prekura nga tërmeti do të kenë prioritet në furnizim.

Tv Klan