Prej orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, deputetët e opozitës nuk po lejohen të hyjnë në Parlament nga punonjësit e Gardës pasi janë të përjashtuar nga seanca plenare.

Garda po qëndron në shkallët në hyrje të Parlamentit duke bllokuar deputetët e PD-së që të hyjnë.

Po kështu, edhe nga hyrja e pasme qëndrojnë gardistë duke mos lejuar deputetët demokratë.

Të gjendur në këto rrethana, Sali Berisha tha se opozita po zbatonin “planin B”, duke mos lejuar gjithashtu deputetët e mazhorancës që të hyjnë nga dera kryesore dhe ajo dytësore.

Opozita është ndarë në dy grupe; një pjesë qëndrojnë te dera kryesore, kurse pjesa tjetër tek hyrja e pasme.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përplasur disa herë me gardistë dhe me deputetë të mazhorancës duke mos i lejuar të hyjnë në sallë.

Por mesa duket, mazhoranca ka hyrë nga një derë e vogël, që sipas opozitës, është dera e kaldajës së Kuvendit.

/tvklan.al