“I rrezikshëm për t’u arratisur”. Kjo fjali është e shkruar në dosjen e autoriteteve greke për 23-vjeçarin shqiptar Albiano Xhezairi, i cili mbrëmjen e së hënës u arratis nga burgu i Avlonës në Greqi. Sipas të përditshmes greke “Eleftheros Typos”, 23-vjeçari kishte vendosur që të arratisej nga momenti i parë që u transferua në burgun e Koridhalos. Bashkë me shqiptarin, u arratis edhe një i burgosur tjetër, një 21-vjeçar sirian. Ky i fundit punonte në kuzhinën e burgut të Avlonës, sipas shtypit grek. Por të dy u kapën pas 24 orësh dhe u dërguan sërish në qeli.

Nga hetimet e deritanishme të autoriteteve greke, është zbuluar se dy të rinjtë kishin thyer një derë të burgut të Avlonës dhe dolën në oborr, aty ku janë të vendosura koshat e mbeturinave. Pasi prenë një rrjetë teli, kaluan në “zonën e vdekur” të burgut që nuk kapet nga kamerat e sigurisë, dhe përmes një shkalle të improvizuar kapërcyen në anën e jashtme të murit rrethues të burgut, duke e gjetur veten të lirë. Në pikën ku ata kapërcyen murin, mungonte rrethimi me rrjetë teli.

Pyetja që ngrenë mediat greke është përse një i burgosur me rrezikshmëri, siç është shqiptari Albiano Xhezairi, u transferua në burgun e sigurisë së ulët të Avlonës. 23-vjeçari shqiptar është i dënuar me 16 vite burgim për trafik droge dhe gjithashtu dyshohet i përfshirë në vrasjen e Aleksandër Bardhit, ngjarje e ndodhur në Sarandë më 24 Shtator 2016. Ajo që dihet deri më tani është fakti se Xhezairi fillimisht ka qenë në burgun e Koridhalos dhe u transferua prej aty në burgun e Avlonës. Në Koridhalo ai dyshohet se kishte marrë pjesë në një revoltë të përgjakshme brenda burgut, që kishte rezultuar me vrasjen e një të burgosuri grek 35-vjeçar. /tvklan.al