Klubi katalanas synon që të ulë shpenzimet për rrogat e futbollisteve me rreth 160 mln Euro

Barcelona po planifikon që të ulë shpenzimet për rrogat e futbollistëve edhe me të paktën 160 milionë Euro të tjera e nga kjo politikë e re kapitenët Gerard Pique, Jordi Alba dhe Sergio Busquets do të duhet të largohen.

Kjo verë ka qenë e vështirë për katalanasit, që u detyruan të shisnin të drejtat televizive në mënyrë që të rregullonin bilancet, ndërsa synimi ishte që të forcohej ekipi i drejtuar nga Çavi Hernandez.

Në total, blaugranat shpenzuan 155 milionë Euro gjatë merkatos verore për blerjet e reja, por patën vështirësi për të regjistruar emra si Robert Levandovski, Raphinha dhe Zhules Kunde

Sipas gazetës sportive spanjolle “Sport”, Barça harxhon 610 milionë Euro për pagat e futbollistëve.

Drejtuesit e klubit duan që ta ulin këtë shifër nga 420 deri në 450 ml Euro.

Por kjo do të thotë se për ikonat e klubit, Hordi Alba, Buskets dhe Pike nuk do të ketë më vend.

I fundit ka bërë 608 paraqitje me katalanasit, Buskets 685 dhe Alba 433 ndeshje dhe largimet e tyre do të sjellin trishtim te tifozët.

Por ata mund të gëzohen nga kthimi i Leo Mesit në “Kamp Nou”.

Zv/presidenti i Barçës që merret me çështjet ekonomike Eduard Romeu deklaroi se kthimi i ikonës argjentinase është i mundur, edhe financiarisht.

Mesit i mbaron kontrata në verën e ardhshme te PSG-ja, e 35 vjeçari nuk ka pranuar që të negociojë rinovimin.

Klan News