Inter Miami po mendon të realizojë një nga ëndrrat e mëdha të çdo tifozi futbolli, të paktën në 20 vitet e fundit. Klubi amerikan, po projekton Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon në një ekip.
Kjo mund të realizohet në Kupën e Botës për Klube, e planifikuar për t’u zhvilluar në mes të Qershorit në SHBA.
Al Nassr, skuadra e Ronaldos nuk është e kualifikuar në këtë turne, për shkak se vendin nga Arabia Saudite e ka marrë Al Hilal.
Sipas “TeamTalk”, Inter Miami mund ta afrojë luzitanin në Qershor për Botërorin e Klubeve, në mënyrë që të jetë në një ekip me Messin dhe më pas ta lërë të lirë sërish për të firmosur rinovimin e kontratës tek Al Nasrr, e cila i skadon në fund të këtij sezoni.
FIFA do të lejojë klubet të bëjnë merkaton para Botërorit të Klubeve dhe kjo mund t’i hapte rrugën transferimit të Ronaldos te Inter Miami, diçka që gjithsesi duket e vështirë të ndodhë.
Inter Miami është vendosur në Grupin A me Palmeiras (Brazil), Al-Ahly (Egjipt) dhe Porto (Portugali). /tvklan.al