Basha: Angazhohem ta rendisim Shqipërinë në 30 vendet e para te Doing Business

Partia Demokratike prezantoi sot programin Doing Business dhe anti korrupsion. Kreu i PD premtoi përmirësim të klimës së biznesit dhe u angazhua për ta futur Shqipërinë në 30 vendet e para në raportin e Doing Business. Kryedemokrati premtoi reformim të sistemit e inspektimeve në biznese dhe luftim të korrupsionit.

 “Objektivi ynë është ta fusim Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për raportin doing bussines. Ky është një ovjektiv kombëtar dhe për ta arritur këtë ne do të marrim hapat e mëposhtëm.

Hapi i parë do të jetë një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit i tërë që do të ndalen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle të bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave më të mira europiane.

Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të të gjithë licencave dhe lejeve që jepen nga shteti. Për këtë, ne do ta provojmë me ligj një listë gjithpërfshirëse të lejeve dhe licencave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i  pushtetit qëndror apo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin.

Unë angazhohem, të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë, e kështu me radhë.

Duke rritur transparencën, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve, duke investuar në digjitalizmin e shërbimeve.

Së dyti, do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. PD beson se ekonomia e tregut është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe një ekonomi shkalle dhe prosperitet në vend.

 Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë por edhe te biznesi i vogël apo i mesëm, që është motori i ekonomisë shqiptare. Tek mbi 100 mijë familje të vetëpunësuara në këto biznese që sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre në këto sipërmarrje.”

Klan News