“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është konceptuar fillimisht në Tiranë”, ka qenë ky sekreti që Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, ka vendosur që të ndajë për mediat në kryeqytetin shqiptar në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama.

Oliver Varhelyi: Ndoshta e mbani mend dhe ka ndodhur në Nëntor që u bë ky propozim. Sekret që dua ta ndaj me ju, vetë ideja e Planit të Rritjes, ka qenë i konceptuar në Tiranë në diskutimet e mëparshme që kemi pasur me kryeministrin, por edhe me udhëheqësit e rajonit. Nuk është vetëm ideja e BE-së që ka vendosur që kjo gjë të krijohet, por ka qenë ideja e të gjithë rajonit. Ne po flasim dhe po themi se çfarë do të zbatojmë për këtë vit. Parlamenti dhe Këshilli Evropian po punon për legjislacionin e duhur dhe ne vijojmë diskutimet se çfarë duhet të bëhet. Dita e sotme, inkurajim i madh për të ecur para në mënyrë të përshpejtuar.

Gjatë fjalës së tij, Oliver Varhelyi është shprehur se Ballkani Perëndimor mund të bëhet gati për BE-në edhe më shpejt.

Oliver Varhelyi: Korsitë e gjelbra do të doja të përmendja. Një gjë që ka shpëtuar njerëz dhe biznese dhe kjo vetëm vitin e shkuar dhe nuk funksionon plotësisht gjithandej. Kemi pasur 20 vite kohë pritje për kamionët, kjo është hequr, mund të arrijmë të kursejmë më shumë kohë. Këto janë gjëra që njerëzit duhet t’i ndjejnë dhe të jenë pjesë e tyre sepse sigurisht që Europa është shumë burokratike, por mendoj që këtë herë, ne kemi mundësinë të tregojmë cilat janë përfitimet e një vendi kur bëhet shtet anëtar dhe cilat janë të mirat që sjell anëtarësimi në BE. Një element i rëndësishëm, rajoni juaj mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt. Këto vende po fillojnë t’i aplikojnë këto rregulla që sot, në mënyrë që kur të arrijmë tek anëtarësimi, kjo gjë të jetë realitet.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Varhelyi ka deklaruar se deri në 2027, vendet e rajonit do të kenë të njëjtin intensitet ndihme teksa ka shtuar se deri në këtë vit është e vështirë të thuhet se vendet e rajonit nuk janë gati për BE-në.

Oliver Varhelyi: Ne e kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë dhe me konkurrencën dhe në tregun e përbashkët të BE-së është e fortë. Ne po japim fonde shtesë si pjesë e këtij plani për të ndihmuar që të gjitha reformat të kryhen sepse shumica e tyre kanë koston e tyre financiare. Ne jemi të gatshëm që ta lehtësojmë këtë punë dhe t’i zbusim këto kosto. Udhëheqësit e Këshillit Europian kanë vendosur pa asnjë ndryshim të dokumentit që u miratua që ne jemi të mendimit që 6 miliardë Euro do të duhen të ndihmojnë rajonin. Këto janë sasia e fondeve që ju jepen shteteve anëtare. Deri në 2027, rajoni do të ketë të njëjtin intensitet ndihme. Kjo do të thotë gjithashtu se pas 2027, do të ishte e vështirë që vendet e rajonit të thonin se nuk janë gati për BE-në.

/tvklan.al