Një akt terrorist në zemër të Venecias, ditën e karnavaleve kur qyteti transformohej në një arenë festimesh plot ngjyra, me turistë e njerëz të të gjitha grupmoshave të maskuar për festime.

Plani ishte i mirë menduar. Autorët do të mbanin maska për të mos u dalluar në turmë dhe të armatosur me thika, gati për të derdhur gjak në sheshin San Marco.

Ishte edhe kjo pjesë e planit të katër kosovarëve të arrestuar pranverën e shkuar në një operacion të koordinuar me prokurorinë antiterrorizëm në Venecia.

Në burg përfundoi një 17-vjeçar, i cili i kishte sugjeruar pjesës tjetër të grupit që të vendoste një bombë në Rialto, 24-vjeçari Fisnik Bekaj, 25-vjeçari Dake Harizaj dhe mbi të gjitha Arjan Babaj, predikuesi dhe lideri 27-vjeçar, i kësaj celule terroriste që kishte si bazë operimi një apartament në San Marco, ku ata jetonin, luteshin dhe shihnin video të shpërndara nga i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Minoreni, sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera” është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa për të tjerët është kërkuar rigjykim.

Detajet e reja

Sot, 10 muaj pas arrestimeve, nga hetimet dalin detaje të reja të planit që kishin 4 të arrestuarit. Nga përgjimet e kryera nga autoritetet italiane del se një nga planet e kësaj celule ishte që të kryente akt terrorist për karnavale.

13 Mars, thonë hetuesit, Babaj i thotë Fisnikut se kishte blerë një thikë për 15 euro, pa faturë.

Fisniku merr thikën dhe thotë se është një nga ato thikat që dikur kishte mundur t’i priste kokën një lope. Ai shton se mjafton një goditje precize, maksimumi dy dhe më pas gjaku rrjedh ujë.

Kalojnë 6 ditë dhe më 19 Mars, policia kap një tjetër bisedë.

Në të grupi komenton grabitjen e dështuar të disa ditëve me parë të një argjendarie në sheshin San Marco. Por ai që e ndez bisedën si zakonisht është Babaj, i cili flet për

“periudhën e karnavaleve”

. Më pas shpjegon: “

Karnavale, po… paf paf! (duke sugjeruar diçka të shpejtë, nënvizon prokuroria)”

. Ndërsa Haziraj sugjeron:

“Të veshur si këta…”

menjëherë i plotësuar nga Mërgim Gecaj, një tjetër kosovar, i cili pas hetimeve u dëbua nga Italia:

“…me një maskë

“.

Në këtë pikë, Babaj shpjegon:

“Mund të marrësh një goditje thike këtu… në ndonjë anë në këmbë”.

Mërgimi ekzaltohet:

“Gjaku i nxehtë!”

Dhe lideri i grupit:

“Përtokë, mos u shqetësoni, sepse gjaku i tyre është pasuria e tyre. Gjaku i tyre për ne është Hallall.”

Gjithnjë sipas hetuesve, kosovarët diskutonin për mundësinë për të përdorur thikën për të vrarë “

të pabesët

“.

Hetimet  

“Corriere della Sera” shkruan se hetimet vijuan edhe pas operacionit të policisë. Nga analizat e materialeve të gjetura në telefonat e tyre celularë, u gjetën shumë selfie që Fisnik Bekaj kishte bërë në Venezia. Foto të shkrepura në pika kyçe të qendrës historike, që sipas hetuesve, shërbenin për ndërtimin e skenarëve të mundshëm të planit terrorist.

Dhe kështu u zbulua gjithashtu se në shënjestrën e celulës terroriste veneciane nuk kishin qenë vetëm karnavalet apo Rialto, por edhe sheshi San Marko, hyrja e Bazilikës, Campanile dhe Ponte della Paglia.

Por si do të operonin?

Mes hipotezave që diskutonin ishin eksplozivi, thikat, si dhe armët e zjarrit.

Në një përgjim të datës 14 Mars, disa prej tyre diskutojnë për mundësinë e blerjes së një kallashnikovi në vendet ish-Jugosllave për 250 euro.

Në telefonin e liderit shpirtëror të celulës u gjet gjithashtu një foto në të cilën Arjan Babaj shfaqet me një armë zjarri në një pyll.

Kjo foto ishte shkrepur ditën e Krishtlindjes së 2016-s, por ai nuk mundi ta përdorte në Venezia, pasi 3 muaj më vonë, për të dhe bashkëpunëtorët e tjerë u hapën dyert e burgut.

//tvklan.al