Pas konfirmimit nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA se do ta tërhiqen 2,500 trupa ushtarakë nga Afganistani dhe Iraku, republikanët dhe aleatët e SHBA kanë shprehur alarmin për këtë vendim.

Tërheqja e trupave nga të dy vendet, vjen sipas planit të Presidentit Donald Trump, i cili ka kritikuar ndërhyrjet e SHBA në vendet e tjera dhe ka bërë thirrje prej kohësh që ushtarët të kthehen në shtëpi.

Fillimisht, kreu i NATO-s ka paralajmëruar një “çmim shumë të lartë”, për këtë hap. Ndërsa edhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell e ka cilësuar këtë plan si “një gabim”.

McConnell, zakonisht ka qenë një mbrojtës i Trump, por ai gjithashtu ka paralajmëruar Presidentin më fjalët që “mos bëjë asnjë ndryshim që mund të lëkundin tokën në lidhje me mbrojtjen dhe politikën e jashtme, përpara se të largohesh nga Shtëpia e Bardhë”.

Trump ende nuk e ka pranuar demokratin Joe Biden për President dhe ka njoftuar për vendime të ndryshme që ka planifikuar t’i realizojë. Është bërë e ditur se hapat për ndryshime nga Trump, pritet të ndodhin pesë ditë para se Biden të marrë detyrën, në 20 Janar 2021.

Ndërsa, Presidenti i zgjedhur Biden ka thënë se “ai është me të drejtë i lodhur nga lufta jonë e gjatë në Afganistan, por është e nevojshme që përfundimi i luftës të bëhet me përgjegjësi, në një mënyrë që siguron atdheun nga kërcënimet dhe që të mos kthehemi mbrapa në kohë “.

Në Irak, numri i trupave amerikane do të shkurtohet nga 2,500 në 500, ndërsa numri i personelit të shërbimit në Afganistan do të bjerë nga 4500 në rreth 2,500./tvklan.al