Gjykata e Lezhës la në qeli pa afat 3 personat e arrestuar për dyshimet se do të kryenin një atentat disa ditë më parë.

E.T, K.Y, i njohur me nofkën “Shkambi”, dhe V.P u paraqitën në seancë para gjyqtarit të masës me forca të shtuara sigurie.

Për afro 90 minuta, mësohet se të tre ata kanë refuzuar të flasin, teksa prokuroria tha se kërkonte caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Për shkak të vijimit të hetimeve dhe veprave të rënda, Gjykata e pranoi kërkesën e organit të akuzës.

Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, e mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Hetimet e deritanishme kanë identifkuar K.Y dhe V.P si personat që po përgatiteshin të kryenin atentatin dhe E.T si ndihmësi i tyre, me qëllim që të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit.

Ndërhyrja e policisë u bë në aksin Gjadër–Barbullush, ku u ndalua automjeti tip “Volkswagen” me të cilin udhëtonin tre personat.

Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, automjetin dhe motomjetin, i cili rezultonte i vjedhur në Suedi.

/tvklan.al