Një Gjykatë në Prishtinë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie dhe gjoba, nëntë persona, nën akuzën se në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin një sulm gjatë një ndeshje futbolli ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.

Visar Ibishi, u dnëua me 10 vjet heqje lirie, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë, ndërsa Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 Eurosh.

Në vjeshtën e vitit 2016, policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, arrestoi 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti islamik dhe planifikim sulmi në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Sipas aktakuzës, katër nga të akuzuarit “me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”

Në akuzë thuhet se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.

Në pranverën e vitit 2017, familjarët dhe autoritetet e policisë thanë se Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme./

VOA