Dallëndyshe Bici refuzon mandatin e deputetit që u lirua nga Ahmetaj
Tashmë është zyrtar fakti që Dallëndyshe Bici, aktualisht drejtore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës e refuzoi mandatin e deputetit, të cilin më herët e kishte ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Përmes një shkrese zyrtare, Bici i ktheu përgjigje kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, pas propozimit qe asaj ju bë për plotësimin e vendit vakant në Kuvend, për shkak të djegies së mandatit të deputetit nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Në listën emërore të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 2021-it, Bici ishte renditur nga partia ne pushtet menjhere pas Arben Ahmetaj si kandidate per deputete, ndaj edhe ishte njoftuar për depozitimin e formularit të vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bici informoi këtë institucion zyrtarisht se nuk dëshiron që të vijojë procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetes në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit në detyrën që ushtron aktualisht në krye të kadastrës.
Sipas listës emërore të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 2021-it, mandati i kalon Plarent Ndrecës anëtari i Këshillit Bashkiak Tiranë. Ndreca do të duhet që ta lë këtë detyrë për tu zhvendosur si deputet drejt parlamentit. Kur Plarent Ndreca të ulet në karrigen e deputetit nën siglën e PS-së në Kuvend, do të duhet të respektohen dhe procedurat siç e përcakton ligji, për betimin e tij.
Mandati i Arben Ahmetaj ka përfunduar para afatit, për shkak se në 6 muajt e fundit, Ahmetaj nuk ka qenë prezent në Kuvend në asnjë nga seancat plenare pasi zgjodhi të arratisej nga vendi ndërsa rrezikonte të arrestohej nga policia.
Ndaj Ahmetajt i shpallur në kërkim ndërkombtar janë ngritur akuza penale nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Aktualisht Ahmetaj ndodhet në kërkim nga GJKKO-ja, ndërsa avokatët e tij pretendojnë se ai ndodhet në Britaninë e Madhe.
Klan News