Ka përfunduar instalimi i platformës digitale të Televizionit Klan në stacionin e Milesë. Ky investim për Sarandën, Delvinën dhe gjithë fshatrat përreth kësaj zone, është i pari dhe i vetmi i realizuar nga një television shqiptar në këtë zonë. Asnjë transmetim tjetër digital tokësor nuk mbulon me sinjal këtë zonë të Shqipërisë, përveç sinjalit të platformës së Televizionit Klan.

Ky investim i Tv Klan u realizua nga kompania e projektimit dhe instalimit TBS 96 në bashkëpunim me kompaninë italiane SIRA dhe SYES me pajisjet më bashkëkohore të transmetimit digital High Definition.

Platforma e parë dhe e vetme për Sarandën e Delvinën, do të transmetojë si fillim kanalet Klan HD, ABC NEWS HD dhe Klan Kosova HD, dhe shumë shpejt ajo do të transmetojë mbi 15 kanale. Kjo platformë ka kapacitet të transmetojë edhe të gjithë kanalet televizive lokale të kësaj zone.

Sinjali i kësaj platforme merret direkt nga aparati i televizorit, pa patur nevojë për dekoder, mjafton që televizori të jetë i prodhuar për të marrë sinjalet digitale tokësore. Antena e thjeshtë, duhet të drejtohet drejt stacionit në malin e Milesë.

Ky sinjal, sipas llogaritjeve të kompanisë italiane të antenave, SIRA, llogaritet të arrijë nga Mileja në Butrint e deri në Dhërmi, mjafton që banorët e këtyre zonave të kenë pamje direkte të stacionit në malin e Milesë.

Saranda dhe Delvina janë skajet më ekstreme të jugut të Shqipërisë që tashmë mbulohen me sinjal nga platforma e vetme digitale e Tv Klan. Deri tani kjo Platformë mbulonte me sinjal rrethet Tiranë, Durrës, Krujë, Laç, Lezhë, Shkodër, Kavajë, Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Devoll.

Pas këtij investimi për Sarandën dhe Delvinën, kompania më e madhe për transmetimet digitale tokësore në Shqipëri, TV Klan, do të fillojë punën për investimin për mbulimin e një tjetër zone, që nuk mbulohet nga asnjë transmetim digital, atë të Beratit. Nga ky stacion i ri do të mbulohen me sinjal digital High Definition rrethet e Beratit, Kuçovës dhe Policanit.

Platforma e Beratit pritet të përfundojë brenda muajt Gusht. Ky investim bën të mundur mbulimin nga transmetimet digitale High Definition të Tv Klan të rreth 75 përqind të popullisisë në vend, duke u bërë kështu e para dhe e vetmja platformë e këtyre përmasave në Shqipëri.

Tv Klan