Udhëheqësit e ekipit negociator të Kosovës, kanë dorëzuar në Kuvend platformën për dialogun. Kreu i parlamentit Kadri Veseli tha se dokumenti nënkupton integritet dhe sovranitet të plotë.

Platforma u tha se bazohet komplet në Kushtetutë, ku përveç integritetit territorial përmendet edhe çështja e aseteve, të cilat janë në territorin e Kosovës. Në platformë thuhet se të gjitha këto asete janë ekskluzivisht të saj dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negocim.

Platformën e miratuar nga ekipi negociator pritet ta shqyrtojnë dhe miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, siç u tha në një afat sa më të shpejtë. Sipas tyre fjalën përfundimtare për marrëveshjen finale me Serbinë do ta kenë qytetarët e Kosovës.

Me këtë platformë, pala kosovare do të dialogojë me Serbinë në Bruksel, dialog ky i cili aktualisht është stopuar për shkak të taksës. Kryeparlamentari Veseli edhe sot ka përsëritur se pezullimi i taksës i mban afër Kosovës Amerikën dhe BE-në, ndërsa Kryeministri Haradinaj këmbëngul të mos e heqë taksën pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

Tv Klan