13 kanale me teknologji të lartë dhe pa asnjë pagesë

Mbulimi me sinjal dixhital i të gjithë territorit të Shqipërisë nga ana e Televizionit Klan, ka vazhduar me ritme të shpejta dhe po shkon drejt përfundimit. Këtë javë ka përfunduar investimi në një prej stacioneve më të mëdha të Shqipërisë, atë mbi malin e Çervenakës.

Ky stacion, për shkak të pozicionit të tij në një lartësi ë madhe, përmirëson mbulimin me sinjal të zonës nga Librazhdi deri në Korçë dhe i shtohet stacioneve ekzistuese të Librazhdit, Tushemishtit në Pogradec, Çardhakut në Korçë dhe atij në Erseke.

Investimi në Çervenakë, përveç zonave që mbuloheshin nga katër stacionet ekzistuese, zgjeron mbulimin me sinjal të mbi 30 fshatrave në zona të thella në dy qarqet, Elbasan dhe Korçë.

Krahas këtyre zonave që marrin sinjal për herë të parë, stacioni i Çervenakës mbulon edhe zonat nga Librazhdi deri në Korçë dhe mund të përdoret nga qytetarët e kësaj zone si frekuencë e dytë në telekomandat e tyre, pasi të kenë futur televizorët apo dekoderat e tyre në kërkim automatik.

Nga Çervenaka, tani është mbuluar për herë të parë pothuaj e gjithë Bashkia e Prrenjasit. Nga ana tjetër, ky investim zgjeron zonën e mbulimit edhe në Republikën e Maqedonisë, prej Shën Naumit e deri në fshatrat me periferike të Komunave Ohër dhe Strugë, ku banojnë një numër i madh shqiptarësh.

Ndërtimi i stacionit transmetues dixhital në Çervenakë nga ana e televizionit Klan, është investimi i parë që kryhet nga një televizion privat shqiptar, ashtu si edhe në shumë rrethe të Shqipërisë ku kjo platforme dixhitale vazhdon të jetë e vetmja që transmeton sinjal televiziv tokësor. Ajo transmeton 13 kanale televizive, TV Klan HD, Klan Plus HD, Abc News HD, Scan HD, Klan News HD, CLUB tv HD, A2 CNN HD, Euronews HD, Syri HD, IN TV HD, MCN TV HD, Klan Macedonia HD dhe Klan Music HD.

Këto kanale transmetohen si gjithmonë pa asnjë pagesë për qytetarët. Për secilin nga këto kanale, platforma digjitale e Tv Klan ofron teknologjinë më të lartë të zërit dhe figurës, atë High Definition.

Për të marrë sinjalin digjital të platformës së Tv Klan, mjafton një televizor të viteve të fundit ose një dekoder të thjeshtë DVB-T2, pa patur nevojë për asnjë kartë apo abonim dhe ta drejtoni antenën e thjeshtë drejt stacionit të transmetimit mbi malin e Çervenakës, tek blloku i antenave celulare.

Ky investim me sinjalin në Çervenakë do të pasohet me investimet e radhës në Poliçan, Vaun e Dejës, Pukë dhe Tropojë, të cilat përmbyllin përfundimisht mbulimin me sinjal të të gjithë territorit, duke e bërë platformën e Tv Klan të parën dhe të vetmen platformë televizive private, me një shtrirje kaq të madhe në Shqipëri.

Tv Klan