Pa pagesë, kanalet më të ndjekur në vend

Pa asnjë pagesë shtesë, por me cilësinë më të lartë të zërit dhe figures, programet e platformës digjitale tokësore të Tv Klan mund të ndiqen tani edhe nga banorët e rrethit të Kolonjës. Lajmin e morën një ditë më parë dhe tani.

“Na pëlqeu shumë… Bravo ju qoftë…”

“Jemi shumë të kënaqur me këtë platformë që keni çelur ju, sepse është në interes të popullit, është falas, jemi shumë të kënaqur. Shikojmë të gjitha kanalet që ka aty, që nga telenovelat, lajmet…”

Stacioni i ri i transmetimit, i cili ndodhet mbi kodrën Maja e Gorricës, pranë qytetit të Ersekës, tek blloku i antenave celulare, bën të mundur mbulimin me sinjal digjital të banorëve të të gjithë kësaj zone.

Kjo platformë, mbulon me sinjal Hight Definition qytetin e Ersekës, si dhe fshatrat Butkë, Bezhan, Qinam, Kreshovë, Selenicë, Starje, Rehove, Borovë, Novoselë, Gostivisht, Luaras, Qesarakë, Çlirim, Taç, Barmash, Prodan, Kagjinas si dhe të gjithë fshatrat e tjerë më të vegjël, të cilët kanë pamje direkte nga stacioni ynë transmetues mbi Majën e Gorricës.

Për të marrë sinjalin digjital të platformës së Tv Klan, mjafton një televizor, prodhim i viteve të fundit ose një dekoder të thjeshtë DVB-T2, pa patur nevojë për asnjë kartë apo abonim.

“Po unë sapo e kam blerë televizorin, e kam të ri. S’kam nevojë as për aparat”, tha një i ri.

Mjafton vetëm një antenë e thjeshtë e drejtuar nga Kodra, Maja e Gorricës dhe të bëhet një kërkim automatik në televizor apo në dekoder. Kanalet  si Tv Klan HD, Klan Plus HD, Abc News HD, Tv Scan HD, Syri HD, Klan Macedonia HD dhe Klan Music HD do të renditen automatikisht.

Platforma High Definition e Tv Klan, është platforma e parë dhe e vetme private që ka nisur transmetimet dixhitale në rrethin e Kolonjës.

Ajo mbulon tashmë më shumë se gjysmën e Shqipërisë, në zona ku s’ka mundur të instalohet asnjë platformë tjetër private dhe është platforma e vetme në zona Kukësi, Dibra, Mirdita, Burreli, Librazhdi, Peqini, Dhërmiu, Himara dhe së shpejti edhe Tepelena, Memaliaj, Përmeti, Këlcyra, Çorovoda etj.

Platforma e Tv Klan është e vetmja po ashtu që po mbulon gjithë Shqipërinë sëbashku me rrjetin e televizionit publik.

Tv Klan