Shqipëria synon të bëhet pjesë e itinerareve turistike rajonale. Kjo, sipas Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, është pjesë e strategjisë kombëtare të turizmit 2019-2023.

 “Dokumenti i politikave strategjike përcakton 2 rrugë të reja që kanë të bëjnë me hapjen e Shqipërisë si pjesë e një rrjeti të përbashkët turistik të vendeve të rajonit, ofrimin e Shqipërisë si destinacion jo vetëm brenda mureve dhe kufijve të vendit, por ofrimin e saj si pjesë e itinerareve të zhvillimit turistik të rajonit, duke futur këtu jo vetëm vendet e Europës Juglindore, por duke e parë Shqipërinë si të pozicionuar në mesin e rajonit të Adriatikut dhe Jonit dhe duke qenë kaq afër me Italinë, Greqinë, Turqinë, Kroacinë, Malin e Zi, natyrisht shumë të zhvilluara në fushën e turizmit, por ne duhet të jemi pjesë e itinerareve dhe pjesë e kësaj strategjie”, tha Klosi.

Për këtë do të ngrihet dhe një qendër informacioni virtuale për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Rajonin e Pulias.

“Të jetë një informacion i detajuar, dixhital, lehtësisht i aksesueshëm, i lexueshëm në të 3 gjuhët e vendeve tona, por natyrisht të jetë i prekshëm nga të gjithë, përsa i përket pasurive të zonave tona të mbrojtura, hapësirat e pafundme që ne kemi për të zhvilluar turizmin jo vetëm të detit, por edhe në hapësirat tona të trashëgimisë kulturore, të pasurive natyrore, të zonave lagunore, të kemi mundësinë që të ofrojmë bukuritë e maleve, lumenjve, liqeneve në vendin tonë”, shtoi ministri Klosi.

Platforma do të ofrojë informacion të detajuar se pse një turist duhet të vizitojë Shqipërinë.

Tv Klan