U shpall në kërkim për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut

Plaurent Dervishaj, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, është liruar nga qelia ne Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai u arrestua në muajin Dhjetor, pasi ndodhej në kërkim me urdhër të SPAK. Ende nuk është e qartë se përse është liruar Plaurent Dervishaj nga burgu ku u mbajt për më shumë se një muaj. Një nga mundësitë është që dosja e tij të ketë mbërritur me vonesë nga Shqipëria.

Por Ministria e Drejtësisë thotë se kërkesa është dorëzuar që më datën 28 Dhjetor 2020. Për ta provuar këtë janë bërë publike disa nga e-mailet e komunikimit për dërgimin e dosjes.

Plaurent Dervishaj është një ndër personazhet kryesore të Bandës së Durrësit dhe sipas SPAK ka qenë aktiv në vrasjet e Vajdin Lames e Klodian Saliut. Dervishaj dyshohet se para se të lëshoheshin urdhër arrestet nga SPAK, u largua drejt Dubait.

Në kërkim për vrasjet e vitit 2005 është edhe Lulzim Berisha. Ndërkohë për këto dy ngjarje deri më tani janë nen akuze Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi.

Tv Klan