Me Vorën dhe Flamurtarin që garantuan ngjitjen direkte në Superligën Shqiptare, fokusi është tek skuadra e tretë e Kategorisë së Parë që do ‘luftojë’ për elitën. Ndeshjet e fazës play-off të Kategorisë së Parë do të luhen këtë të enjte. Burreli do të përballet me Pogradecin në stadiumin “Liri Ballabani”, ndërsa Besa sfidon Apoloninë në stadiumin “Niko Dovana”.

Të dyja ndeshjet do të luhen në orën 15:00. Fituesit e këtyre dy çifteve do të kualifikohen për një finale të dytë, që do të zhvillohet më 30 Prill. Ekipi që triumfon në këtë finale do të përballet më pas me skuadrën e renditur në vendin e tetë të “Superiores”, në një tjetër përballje vendimtare për një vend në kampionatin elitë për edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë, më 26 dhe 27 Prill do të zhvillohen dy sfidat e play-out në Kategorinë e Parë, që do të përcaktojnë skuadrat që do të sigurojnë mbijetesën për sezonin e ardhshëm. Kukësi përballet me Orikun më 26 Prill, ora 16:00, në stadiumin “Arena e Demave”. Ndërsa një ditë më pas, më 27 Prill, ora 15:00, Kastrioti ndeshet me Luzi 2008 në stadiumin e Vorës. Skuadrat që dalin fituese nga këto finale do të kenë të drejtën të garojnë në Kategorinë e Parë për sezonin 2025/2026.

Klan News