Procedohen 6 pronarë dhe Drejtori i Taksave në Lezhë

Gjashtë pronarë në Shëngjin dhe Velipojë janë proceduar penalisht sepse kishin zaptuar hapësira në bregdet.

Policia e Shtetit ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike, të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte. Nga këto 3500 m2 në Shëngjin dhe 1000m2 në Velipojë. Njëkohësisht janë sekuestruar rreth 450 shezlone dhe 250 çadra.

Policia ka proceduar për shpërdorim detyre edhe Drejtorin e Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e konstatuara në Shëngjin.

Operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.

Aksionin e ka përshëndetur edhe kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook thotë se zaptuesit e plazheve po përballen kudo me policinë, ndërsa paralajmëron hartimin e një ligjit të ri për vijën bregdetare i cili do t’i japë fund zënies së hapësirave publike.

Tv Klan