Mushkonjat do të jenë një problem serioz këtë vit për pushuesit pasi dezinsektimi në zonat bregdetare ende nuk ka nisur, ndonëse po hyjmë në muajin e dytë të verës. E njëjta situatë është edhe në zonat e banuara pasi Instituti i Shëndetit Publik, nuk ka vepruar sipas planit të ndërhyrjes që bëhet çdo vit.

Ky fakt bëhet i ditur nga vetë drejtoresha e këtij institucioni Albana Fico, e cila në përgjigje të interesimit të Televizorit Klan u shpreh se procesi i dezinsektimit është ende në fazë vlerësimi. Ndërsa po trajnohen punonjësit e drejtorive të Shëndetit Publik për të filluar procesin.

Por referuar viteve të shkuara dhe deklaratave të specialistëve të Shëndetit Publik, procesi i dezinsektimit duhet të kishte nisur në muajin Prill, kur është periudha që mushkonjat luftohen në fazën e tyre larvave.

Një vit më parë ky proces në Divjakë nisi në 11 Prill, dhe për specialistin, mund të kishte nis edhe më herët për rezultate më të mira.

“Sa më shpejt të fillohet aq më mirë dhe presim rezultate më të mira”.

Procesi i dezinsektimit rinisi në Prill të vitit 2014 pas më shumë se 20 vjetësh ndërprerje.

Tv Klan