Si do të pushojnë shqiptarët sivjet në bregun e detit

Ky është plazhi i gjirit të Lalëzit, një nga më të mëdhenjtë në vend. Gjatë verës këtu gjejnë freski pjesa më e madhe e banorëve të kryeqytetit, pasi është edhe plazhi më i afërt me Tiranën.

“Vit pas viti, pushteti vendor dha leje për ndërtimin e këtyre lokaleve dhe bashkë me to edhe për shfrytëzimin e hapësirave të plazhit. Këtyre hapësirave ne u themi sot plazhe private, edhe pse rëra dhe deti nuk kanë patur asnjëherë pronar zyrtar. Vendimet dhe ligjet për të ruajtur raportet mes plazhit publik dhe atij privat u shkelën vazhdimisht, derisa nuk kishte më asnjë tabelë që të lexonte plazh publik.

Por Kryeministri Rama ka hedhur idenë që këtë vit, lejet për plazhet private të mos rinovohen më. Që do të thotë se në këto hapësirë nuk do të ketë më shezllone dhe qytetarët do të duhet të vijnë me çadrat e tyre, pa qenë të detyruar të paguajnë para për rërën, detin dhe diellin.

Kryeministri e cilësoi këtë si plazhin e “qëmotit”, kur në Shqipëri nuk njiheshin shezllonët dhe rëra ishte e të gjithëve. Këto qindra lokale e restorante do ta ushtrojnë aktivitetin e tyre, por pa patur të drejtë të bëjnë biznes me rërën.

Nga një plazh nuk kishte asnjë hapësirë publike, tashmë do të eksperimentojmë një plazh ku nuk ka shërbime private. Të inatosur me abuzuesit që zaptuan çdo hapësirë të bregdetit me lejen e pushtetit, qytetarët e kanë mirëpritur idenë. Por, a mund të përballen pushuesit me probleme të tjera?

Ndërsa e dorëzoi plazhin në duart e privatëve, qeveria dhe pushteti vendor nuk kanë bërë asnjë investim. Nuk ka dhoma zhveshjeje, nuk ka tualete, nuk ka dushe për shpëlarje. Të gjitha këto shërbime ofrohen nga ata që quhen pronarët e plazhit. Madje edhe vendparkimet e makinave janë ndërtuar nga privatët. Dhe nuk dihet nëse ata do t’i ofrojnë falas tashmë këto shërbime.

“Ata që mbajnë mend plazhin e kohës së komunizmit kujtojnë se deti shërbente jo vetëm për t’u freskuar, por edhe si vend për të kryer nevojat personale. Shpresojmë që ideja e kthimit të plazhit tek qytetarët, të mos parashikojë edhe këtë detaj”.

Klan Plus