Orikumi turistik sot ka këtë pamje.

Plehrat kanë mbushur rrugën kombëtare që lidh Vlorën me bregdetin e jugut, duke u përhapur përtej asfaltit.

“Jemi në mes të sezonit turistik veror dhe plehrat buzë rrugës kombëtare në Orikum nuk janë larguar. Kjo është pamja më e shëmtuar që ndesh syri i çdo kalimtari tashmë që era e rëndë që çlirohet prej të nxehtit, të zë frymën dhe ndihet disa kilometra larg”, raporton gazetarja Anila Sefa.

Sasia shtohet çdo ditë me kamionët që shkarkojnë pa asnjë kriter. Pirgjet e mbetjeve duken nga çdo cep i rrugës, duke sfiduar një rrethim pa standarde, që duket se është vënë sa për të thëne, siç shprehen edhe banorët e zonës.

Qielli nuk mbulohet me shoshë… Kanë vënë një gardhore aty”, thotë një prej tyre.

Shqetësimet se ky landfill do të jetë një imazh i keq për qindra mijëra turistë të huaj që kalojnë në këtë rrugë për të shkuar në plazhet e bukura të jugut, u dha që para nisjes së zezonit turistik.

Por asnjë nga institucionet që merret me turizmin apo me mjedisin, nuk bëri asgjë, pavarësisht kësaj situate ulëritëse.

Banorët e zonës shprehen se landfilli është kthyer edhe në një vatër infeksioni, që sjell probleme shëndetësore, pasi ndot gjithë zonën dhe se asnjë premtim i bërë për t’i dhënë zgjidhje kësaj gangrene nuk është mbajtur.

Përballë këtyre imazheve që mund të bëjnë xhiron e mediave botërore, çdo turist i huaj do të stepej për të vizituar vendin. Dhe ky realitet, për të cilin asnjë nga institucionet nuk mban përgjegjësi, mund të hedhë poshtë çdo përpjekje të bërë deri tani për ta përmirësuar imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik.

Tv Klan