Një surprizë e dyfishtë sot tek “Ka një mesazh për ty”. Kantautori i njohur Kledi Bahiti ka marrë përsipër të kompozojë një këngë për Jetmir Kananin, ish-nxënësin e mësuese Shigjetës e cila ishte e ftuar sot në këtë rubrikë. Tashmë ai do marrë pjesë si konkurrent në Festivalin e Këngës Magjike 2019. Mësuese Shigjeta ishte e para që kishte zbuluar dhe mbështetur Jetmirin për t’u marrë me këngën. Madje ajo ishte shprehur se dëshironte ta thërriste të riun tek “Ka një mesazh për ty” për t’i kërkuar që të mos e braktisë këtë ëndërr.

Ndaj dhe produksioni kontaktoi fillimisht Jetmirin për t’i plotësuar dëshirën mësueses e më pas dhe Kledi Bahitin për t’i kompozuar një këngë të riut për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Këngës Magjike. “Sigurisht që jam gati”, përgjigj ai mjaft i surprizuar. Kanani e kishte ndërprerë këtë ëndërr për shkak të pamundësisë ekonomike dhe ndërkohë ndjek studimet për infermieri në Kosovë. /tvklan.al