Një i ri ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të premteje në qytetin e Vlorës. Burime zyrtare të policisë thonë se 26-vjeçari me iniciale A.V ka shkuar në spital rreth orës 21:14, i plagosur me një plumb në këmbë.

Nga hetimet paraprake, policia thotë se i riu është qëlluar me armë pranë një lokali në lagjen “24 Maji”, në zonën e Çoles, nga një person ende i paidentifikuar.

I riu mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia thotë se dyshimet janë që konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.

Grupe të posaçme të Policisë së Vlorës janë shpërndarë në akset rrugore kryesore të qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa vazhdojnë hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al