Policia e Shkodrës identifikon dhe kap autorin

Një person mbeti i plagosur këtë të martë në Shkodër, në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:10, në afërsi të Urës së Bunës. I plagosur nga kjo ngjarje mbeti 50-vjeçari G. B, i cili u qëllua me pistoletë nga një person të cilin policia ka mundur ta ndalojë, megjithatë identiteti i tij nuk bëhet i ditur.

Ndërkohë, i plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Rreth orës 17:10, në afërsi të Urës së Bunës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasi G. B., rreth 50 vjeç, i cili është transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, të cilat rrethuan zonën dhe ngritën pika kontrolli. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i autorit të dyshuar të plagosjes, por për arsye hetimi, për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e tij”, thuhet në një njoftim të policisë së Shkodrës.

Për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje po punon një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë./tvklan.al