Nuk ka ende autor për ngjarjen e rëndë të një nate më parë ku kallashnikovët e krimit goditën 4 persona, mes të cilëve dy fëmijë.
“4 të rinjtë që mbetën të plagosur mbrëmjen e së enjtes, po lëviznin në Unazën e Madhe me automjetin e tip G Class dhe sapo janë futur në rrugën që të lidh me zonën e Lundrës, janë qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.”
Autorët kanë qenë në pritje të automjetit luksoz ku udhëtonin dy vëllezër të mitur, të moshave 11 dhe 17 vjeç, një 19-vjeçar dhe një 34-vjeçar që ishte në drejtimin e mjetit.
“Ky gardh me rrjet teli është prishur nga vrasësit, të cilët kanë përdorur këtë shteg për t’u fshehur e më pas për t’i bërë pritë automjetit ku lëviznin 4 të rinjtë.”
Të plagosurit kishin qenë në festen e ditëlindjes së 11-vjeçarit dhe po ktheheshin në shtëpi, në një kompleks në zonën e Lundrës kur të paktën dy persona kanë qëlluar drejt tyre. 33 gëzhoja u gjetën nga policia në këtë vend, ndërsa 8 plumba goditen makinën.
Pas goditjes, drejtuesi mjetit ka vijuar për në zonën ku banonin dhe aty ka humbur ndjenjat. Të afërmit e fëmijëve të plagosur i kanë dërguar më pas që të katërt në spital. 11-vjeçari është në gjendje të rëndë ndërsa 17-vjeçari është nisur për kurim jashtë vendit.
Drejtuesi i mjetit, i cili shoqëronte vazhdimisht fëmijët e mitur, mësohet se i tha policisë që kjo kishte qenë hera e parë që ai kalonte nga kjo rrugë me këtë automjet, për t’i çuar ata në shtëpi.
Ky fakt ka bërë që hetuesit të dyshojnë se autorët kanë ngatërruar shënjestër. Policia mori në pyetje bashkëshorten e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra 2 orë para ngjarjes pranë TEG-ut, e cila banon në të njëjtën zonë në Lundër, pas dyshimeve se ngjarjet mund të kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe se objektiv mund të kishte qenë ajo.
Por ajo u tha hetuesve në Lezhë se nuk e kishte idenë as se kush mund t’ia kishte vrarë vjehrrin apo që të kishte lidhje me plagosjen e 4 personave në Tiranë dhe se në momentin e plagosjes së tyre ndodhej në Milot. Ajo ka deklaruar se nuk ka probleme me persona të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që ka pasur bashkëshorti.
Policia shoqëroi disa persona, por as marrja e tyre në pyetje dhe as hetimet e deritanishme nuk kanë sjelle ndonjë rezultat.
Zbardhja e kësaj ngjarje të rëndë, ku plumbat nuk kursejnë as fëmijët, është sot më shumë se kurrë një test për Policinë e Shtetit. Sikundër, moszbardhja e këtij krimi, është inkurajim për ngjarje të tjera kriminale që po përgjakin vendin dhe nuk po kursejnë as të pafajshëm.
Tv Klan