Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Projekti i çarmatimit në Elbasan nuk i shpëton dot ndikimeve politike, sidomos tani kur ndodhemi në prag të fushatës elektorale, ky proces po merr zhvillime të reja. Krisja e parë midis zyrtarëve të prefekturës dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal ka filluar të duket sot në një seminar të zhvilluar për projektin e çarmatimit në Elbasan nga PNUD.  

Në këtë seminar megjithëse ishte i ftuar nuk ka marrë pjesë prefekti Durim Hushi. I ndodhur përballë kësaj situate, përfaqësuesi i PNUD në Shqipëri ju ka kërkuar të pranishmëve të mos politizohet problemi. Edhe kryetari i Këshillit të Rrethit zoti Ilir Balliu, ka pohuar se në fillim ranë dakort që projekti i çarmatimit nuk duhet të shfrytëzohet në komunitet për atribute politike.

Sipas burimeve të prefekturës Elbasan, PNUD-i duhet të jetë tepër i kujdesshëm e të mos bien në grackën e pushtetit lokal. Lidhur me faktin e sotëm prefekti Hushi foli ekskluzivisht për Tv Klan.

Durim Hushi, Prefekti i Elbasanit:- “Arsyeja e vetme është që në këtë moment po në të njëjtën orë kisha një takim të planifikuar prej rreth një jave me të gjithë anëtarët e komisioneve të rregjistrimit të popullsisë pranë bashkive dhe komunave të prefekturës dhe prandaj nuk mund të isha në takimin që organizonte PNUD-i”./tvklan.al

Gazetar – Fatos Salliu