Miratimi i projektligjit shënon një vendim historik, por përballet me pengesa për birësimin e fëmijëve

Greqia është bërë kombi i parë i krishterë me shumicë ortodokse që legalizon martesat e të njëjtit seks . Të paktën për të ardhmen e afërt, me siguri do të jetë i vetmi. Udhëheqja ortodokse lindore ka qenë i bashkuar në kundërshtimin e njohjes së marrëdhënieve të të njëjtit seks si brenda riteve të veta ashtu edhe në sferën civile. Opinioni publik në shumicën e vendeve ortodokse është kundërshtuar gjithashtu. Por ka disa shenja ndryshimi. Dy vende të vogla me shumicë ortodokse, Mali i Zi dhe Qipro , kanë autorizuar bashkimet e të njëjtit seks në vitet e fundit, siç bëri Greqia në 2015 përpara se të miratonte statusin e plotë martesor.

Por tanimë për njerëzit, ky është një ndryshim historik. Kur Yolanda Kalantzi dhe Georgia Ampatzidou ranë në dashuri 8 vjet më parë, ato thanë se ideja për t’u martuar ishte fantashkencë në Greqinë thellësisht konservatore , ku çiftet LGBT+ nuk mund të martohen apo birësojnë.

“Kur dëgjuam se ligji u miratua, ne u prekëm thellë,” tha Kalantzi, që sëbashku me Ampatzidou udhëtoi 500 km për të qenë brenda parlamentit për votimin historik. Miratimi i përshëndetur nga dhjetëra njerëz në rrugët e Athinës, por i kundërshtuar nga Kisha Ortodokse dhe shumë politikanë të krahut të djathtë, do të duhen disa ditë për t’u zyrtarizuar. Tani kanë një datë paraprake dasme dhe tashmë po mendojnë veshjet dhe lulet. Çifti tashmë kanë rezervuar një DJ dhe një fotograf për dasmën e tyre në maj. Miratimi i projektligjit është një fitore për çifte si Kalantzi dhe Ampatzidou që kanë bërë fushatë për barazi për vite me rradhë.

Të dyja kanë një djalë tre vjeç, por vetëm nëna e tij biologjike Kalantzi njihet si prind i vetëm nga shteti. Sipas projektligjit, Ampatzidou do të jetë në gjendje ta birësojë atë dhe të gëzojë të drejta të barabarta prindërore nëse martohen.

“Ne as nuk mund ta mendonim, as ta imagjinonim apo ta ëndërronim. U bënë demostrata të tëra derisa e pamë tekstin me sy, nuk guxuam të flisnim për të, vetëm kur pamë tekstin e faturën me sytë tanë a filluam dalëngadalë të ëndërronim, me fjalë të tjera thamë menjëherë, shumë mirë. Martohemi në pranverë? Çfarë do të veshim? A do të marrim lule?”

Por shumë në komunitetin LGBT+ besojnë se nuk shkon aq larg sa duhet. Ampatzidou dhe Kalantzi duan të kenë një fëmijë të dytë, por projektligji nuk i rrëzon pengesat për çiftet LGBT+ të përdorin metodat e riprodhimit të asistuar. Ato shprehen se tashmë janë refuzuar dy herë nga qendrat invitro. Shtatzënitë surrogate gjithashtu nuk do të realizohen për çiftet dhe individët LGBT+, sipas projektligjit, i cili njeh fëmijët tashmë të lindur me këtë metodë jashtë vendit. Ky ndalim ka prekur tashmë shumë njerëz.

“Nuk na ndihmon me riprodhimin e asistuar. Ne duam të kemi një fëmijë të dytë dhe nuk mundemi. Të qenit i refuzuar nga klinika ku patëm fëmijën tonë të parë, ishte zemërthyese. E dyta ishte si një thikë në zemër.”

Radiologu me bazë në Athinë, Angelos Michailides, 54 vjeç, kaloi katër vjet dhe kursimet e tij të jetës për të gjetur një nënë surrogate në Shtetet e Bashkuara. Ai tani ka dy binjakë trevjeçarë, por ata nuk njihen si shtetas në zyrat e gjendjes civile greke kërkojnë emrin e nënës dhe nuk ka akses në arsimin publik apo kujdesin shëndetësor.

“Fëmijët e mi nuk njihen si të mitë në Greqi , edhe pse kanë një pasaportë amerikane, janë të ligjshëm sipas ligjit amerikan, dhe ligjit norvegjez, dhe ligjit evropian, por në Greqi është sikur të mos ekzistojnë janë fëmijë të padukshëm.”

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se projektligji do të mbrojë fëmijët e çifteve të të njëjtit seks që tashmë ekzistojnë dhe do t’u japë atyre të njëjtat të drejta si fëmijët e tjerë, duke shtuar se projektligji i reformës synon të harmonizojë Greqinë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

“Është një hap i rëndësishëm që kërkon barazi për të gjithë. Por në radhë të parë, ajo kërkon të mbrojë fëmijët e çifteve të të njëjtit seks që tashmë ekzistojnë. Këta fëmijë duhet të kenë të njëjtat të drejta si të gjithë fëmijët e tjerë. Dua t’ju kujtoj se po flasim për diçka që vlen tashmë në 36 vende, në pesë kontinente, pa asnjë shenjë që dëmton kohezionin social.”

Greqia mbetet pas pjesës më të madhe të Evropës në të drejtat e komunitetit LGBT, por gjatë dekadës së fundit ajo ka njohur marrëveshjet e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks dhe ka ndaluar terapinë e konvertimit për të miturit . “Ne duam dhe besojmë se vendi ynë duhet të bëhet çdo ditë më i drejtë, më produktiv, më i begatë, më evropian.”

Projektligji kishte nevojë për një shumicë të thjeshtë për të kaluar në parlamentin prej 300 anëtarësh. Kryeministri Mitsotakis mbrojti projektligjin, por kërkoi mbështetjen e partive opozitare për ta kaluar atë, pasi dhjetëra deputetë nga partia e tij qeverisëse e qendrës së djathtë e kundërshtuan. Ligjvënësi i ND Stratos Simopoulos, i cili është i pavendosur deklaron se një pjesë e shoqërisë ka frikë.

“Ka një pjesë të shoqërisë që ka frikë se me këtë reformë, në një periudhë në afat të mesëm dhe afatgjatë, mund të nisë një proces destabilizimi i konceptit tradicional të mëmësisë dhe atësisë.”

Sondazhet tregojnë se grekët janë të ndarë për martesën LGBT+.

“Mund të flas më shumë për birësimin e fëmijëve sepse çiftet e të njëjtit seks nuk mund të adoptojnë fëmijë. Fëmijët duhet të marrin dashuri nga të dyja palët, si nëna dhe babai.”

“Personalisht nuk më shqetëson fare, por më shqetëson birësimi i fëmijëve nga dy prindër të së njëjtës gjini.”

“Çfarëdo që ata bëjnë në jetën private është punë e tyre, dhe unë kam një djalë homoseksual i cili është i martuar.” Kisha e fuqishme Ortodokse beson se homoseksualiteti është një mëkat dhe e kundërshton hapur projektligjin. Peshkopët e saj të Sinodit të Shenjtë gjithnjë janë shprehur se ky projektligj synon të ndryshojë kohezionin social të vendit dhe prek standardet tradicionale të atësisë dhe amësisë.

“Ky është një realitet i ri që synon të prezantojë forma të reja të familjes, si dhe të normalizojë marrëdhëniet mes njerëzve të të njëjtit seks. Njëkohësisht po krijohen shumë sfida për misterin e shenjtë dhe të madh të martesës, standardet tradicionale të babait dhe nënës po preken.”

Për disa nga kundërshtarët më të ashpër këtij projektligji përfshirë edhe fraksionet më konservatore, miratimi i ligjit është një përjashtim nga bashkësia fetare. Deklarojnë se do ta çojnë projektligjin në gjykatë.
Një nga pasojat e prezantimit të suksesshëm të projektligjit të barazisë martesore nga qeveria e qendrës së djathtë të Mitsotakis është se ai mund të nxisë më shumë vende në bllokun lindor të Evropës, si dhe më shumë qeveri të krahut të djathtë, të ndjekin shembullin dhe të marrin në konsideratë politika të ngjashme gjithëpërfshirëse. Lajmi tashmë ka krijuar mjaft bujë në Itali, e cila deri më sot njeh vetëm bashkime civile për çiftet e të njëjtës gjini, si dhe në Republikën Çeke, e cila aktualisht po debaton për prezantimin e një projektligji të ngjashëm.

Klan News