Vrasja e Eglantina Bucit në vitin 2008 në Malin me Gropa u zbardh falë dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ekzekutimit të së resë.

Shkëlzen Buci, vëllai i Eglantinës, dhe Faik Buci babai i vajzës, janë të arrestuar dhe akuzuar për këtë çështje.

Hetimet për këtë ngjarje nisën në vitin 2017, kur u arrestua Shkëlzen Buci, por për një tjetër ngjarje kriminale. Ai u akuzua dhe dënua për vrasjen e mbetur në tentativë të aktorit Mishel Prela. Njëri ndër të akuzuarit për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Prelës, ishte edhe shoku i Shkëlzen Bucit, i cili ka qenë i pranishëm në vrasjen e Eglantina Bucit.

Ky person, që sot është dëshmitar i mbrojtur, i ka treguar policisë të gjithë ngjarjen e vitit 2008 në Malin me Gropa. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Opinion” se në këtë moment, ai mori statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe tregoi se Shkëlzen Buci kishte vrarë motrën e tij Eglantina Buci me porosi të babait Faik Buci.

“Kur ata po i komunikonin mbylljen e hetimeve për tentativën e vrasjes së Mishel Prelës, ai një moment ka shpërthyer në lot dhe ka thënë: Unë nuk e mbaj dot më, po çmendem nga kjo histori, dua t’ju rrëfej dhe një krim tjetër. Aty është thirrur një avokate shumë e re, të cilën e kanë patur për ta patur procedurialisht në rregull, i është kërkuar edhe avokates të mos fliste. Ka treguar të gjithë ngjarjen. Problemi është që policia kishte të qartë të gjithë mekanizmin, por nuk mund të firmoste urdhër-arrest për babain dhe vëllain e vajzës, sepse nuk kishte trupin. Pra e kishte të pamundur të ngrinte një akuzë për vrasje”. /tvklan.al