Një australian ka zbuluar një copë ari me peshë 1.4 kilogram duke përdorur detektues metali. “BBC” thotë se burri zbuloi metalin e çmuar teksa endej në fushat e arit në Australinë Perëndimore.

Fotoja e arit u shpërnda nga një dyqan në Kalgoorlie, ndërsa vlera e tij besohet të arrijë në rreth 70 mijë dollarë.

Burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se dilte shpesh në kërkim të arit teksa endej në atë zonë.

Pronari i dyqanit të arit, Matt Cook, tha për “BBC”, se kërkuesit gjejnë sasi të tilla ari pak herë në vit.

Rreth ¾ e arit që prodhon Australia nxirret nga minierat në dhe përreth rajonit të Kalgoorlie. Cook tha se burri e kishte zbuluar arin nën një shtresë kripe, rreth 45 cm nën sipërfaqe.

“Ai hyri në dyqanin tim dhe më tregoi copëzën e çmuar me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Është pak më e madhe se një paketë duhani, por densiteti është i pabesueshëm çka e bën shumë të rëndë”, tha Cook.

Profesori australian, Sam Spearing, shpjegoi se përreth minierave shumë njerëz sillen si kërkues për hobi në fundjavë, por ka të tjerë që e bëjnë atë gjë me kohë të plotë. /tvklan.al