Presidenti amerikan Donald Trump mbron stafin e tij, lidhur me skandalin ku u përfshinë zv/presidenti James David Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës, të cilëve u rrodhi informacioni nga grupi sekret në aplikacionin “Signal”, teksa diskutonin për nisjen e bombardimeve në Jemen.

Në një takim me ambasadorët, shefi i Shtëpisë së Bardhë mbështeti qëndrimin e zëvendësit të tij, që i quajti “parazitë” europianët.

“Po edhe unë mendoj se ata janë parazitë”, tha Trump, duke iu referuar bilanceve tregtare, ku Bashkimi Europian del me fitim përballë Shteteve të Bashkuara.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se sulmi në Jemen ishte plotësisht i suksesshëm. Mohoi se grupi ishte sekret dhe se këshilltari i tij për sigurinë kombëtare Mike Waltz nuk ka pse të kërkojë falje, pasi sipas Trump është shumë i zoti.

Megjithatë, Mike Waltz në një intervistë televizive mori përsipër përgjegjësinë për rrjedhjen e informacioneve nga grupi i krijuar prej tij ku gabimisht ishte përfshirë Jeffrey Goldberg, kryeredaktori i revistës “The Atlantic” që bëri publike bisedat.

Tv Klan