Një vrasje tronditi mbrëmjen e së enjtes qytetin e Korçës, viktimë e së cilës mbeti një i ri. Ai është Altin Balliu, një 35-vjeçar nga fshati Slabinjë i Pogradecit. Ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Olger Mustafaj, i cili rezulton person me precedentë penalë.

Ngjara e rëndë ndodhi në lagjen Nr 10 të qytetit të Korçës, pas një konflikti në një lokal në këtë zonë. Burime pranë grupit hetimor thonë se autori i dyshuar ishte konfliktuar me 35-vjeçarin dhe shokët e tij për bllokimin e rrugës me makinë nga këta të fundit.

Pas përplasjes së ndodhur në ambientet e lokalit, autori, i cili ishte banor i lagjes, është larguar për t’u rikthyer me pistoletë në dorë. Ai dyshohet se e ka gjetur vetëm viktimën, gjatë kohës që po i drejtohej makinës ku ndodheshin shokët e tij. I dyshuari Mustafaj e qëlloi 35-vjeçarin disa herë. Dy prej plumbave e prekën në kokë e trup, duke i shkaktuar të riut vdekjen e menjëhershme. 35-vjeçari Balliu mësohet se merrej me hapjen e puseve, sëbashku me vëllezërit e tij.

Aktualisht, autoritetet policore kanë shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe po punon për kapjen e tij. Autori kishte vetëm 1 vit që ishte liruar nga burgu. Në Prill të 2010-ës, Mustafaj tentoi të vrasë një person për larje hesapesh. Ai u dënua me 12 vite burg, por për sjellje të mirë bëri vetëm 7.

/tvklan.al