Kryeministri i vendit, Edi Rama në një bashkëbisedim “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale, shprehet se Shqipëria po hap me shpejtësi dyert e korridorit të gjatë të Bashkimit Europian.

Rama tha se pritet që në Mars apo në fillim të Prillit, vendi ynë të hap edhe dy grupkapituj të tjerë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Nëse të gjitha këto do të ishin të vërteta ne nuk do të ishim duke hapur me një shpejtësi, si asnjë vend tjetër më parë, dyert e korridorit të gjatë të BE. Na kanë ardhur dy letra zotëri, njëra në fund të Janarit dhe tjetra në fillim të Shkurtit nga presidenca polake e Bashkimit Europian. Në Mars apo fillim Prilli do të shkojmë në Bruksel, për të hapur edhe dy grupkapituj të tjerë dhe kështu praktikisht hapim pjesën më të madhe të grupkapitujve dhe siç mund ta kesh dëgjuar dhe Komisionerja e Zgjerimit në Mynih e tha se duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë brenda 2027 dhe nëse i mbyllim brenda 2027, siç është plani shumë ambicioz dhe në 2028 marrim vendimin për tu bërë anëtarë, të gjithë këto fjalë i merr era sepse nuk të merr kush në BE me të gjitha këto karakterizime që ti i bën vendit tënd komplet i helmuar nga llumi i kënetës”, thekson Kryeministri Rama në përgjigje të komentuesit.

Ndër të tjera Rama në përgjigje të një qytetari që shprehej se ekonomia në Shqipëri është e shkatërruar, Kryeministri e mohon një gjë të tillë.

“Nëse një ekonomi e rritur dy herë e gjysëm është një ekonomi e shkatërruar atëherë më vjen shumë keq, por ne do të vazhdojmë në rrugën e këtij shkatërimi. Por besoj që duhet ta rishikosh këtë opinion. Mbase në raport me aty ku shkruan ti, se mbase shkruan nga jashtë jemi ende mbrapa, por të jesh i sigurt që duke u bërë pjesë e BE do të jemi akoma më afër dhe kjo është një punë e përditshme”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu shprehet se shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do të shprehin votën e tyre në datën 11 Maj dhe sidomos ato nga jashtë do t’i japin një përgjigje të gjithëve atyre që e bëjnë përgjegjës atë për largimin e të rinjve jashtë vendit.

“Shqiptarët brenda dhe ata jashtë dhe sidomos ata jashtë, se jam shumë i dëshiruar për të lexuar rezultatin e votës së tyre, për t’ju dhënë një përgjigje shumë të qartë të gjithë atyre që ma hedhin mua përgjegjësinë pse njerëzit vendosin të shkojnë dhe të kërkojnë fatin e tyre në vende tjera. Dhe pastaj këtu jemi prap, por unë do të shërbej ty njësoj si gjithë të tjerëve. Këneta dhe bufi i kënetës janë histori tjetër, dhe unë ju them doni apo s’doni Edi Ramën apo PS kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër është thajeni kënetën. Çdo gjë përveç kënetës, çdokush përveç kënetës. Në fund fare PS do të jetë në krye të vendit, por sidoqoftë parlamenti mund të jetë pak më i larmishëm”, tha Rama.

/tvklan.al