Tentativa për t’i ikur karabinierëve për pak sa nuk përfundoi në tragjedi për një familje italiane. Protagonist i ngjarjes ishte një shqiptar 35-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë, i cili nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe u përplas me një makinë. Ngjarja ndodhi në Cecchina di Albano në Romë, rreth orës 17:00 të së enjtes.

Sipas mediave italiane, shqiptari udhëtonte me një Audi A4, kur karabinierët i kërkuan që të ndalonte. Por ai nuk iu bind urdhrit dhe teksa u përpoq që të arratisej u fut në një rrugë dytësore duke u përplasur me një makinë tjetër e më pas me një mur.

Në automjetin që u godit nga shqiptari udhëtonte një familje italiane, bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Ata mbetën të lënduar, fatmirësisht pa probleme për jetën.

Në përfundim të “aventurës” së tij të rrezikshme, 35-vjeçari shqiptar u arrestua./tvklan.al