Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një gruaje u regjistrua paraditen e të hënës në kryeqytet. Lena Stafa 72-vjeçe humbi jetën ndërsa e plagosur rëndë mbeti 66-vjeçarja Hatije Muça.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Unazën e Re, pranë mbikalimit të Paskuqanit. Gratë u aksidentuan nga automjeti tip “Volvo”që drejtohej nga i riu Renis Qosja.
“Sipas policisë dy gratë po tentonin të kalonin trafikndarësen e Unazës së Madhe gjatë kohës kur janë përplasur nga automjeti që drejtohej nga 35-vjeçari”, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.
Përplasja ka rezultuar fatale për 72-vjeçare Stafa e cila humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa gruaja tjetër u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Sipas grupit hetimor automjeti i drejtuar nga 35-vjeçari Qosja nuk rezulton të ketë qenë tej normave të lejuara.
Në këtë segement ku ndodhi aksidenti nuk lejohet kalimi i këmbësorëve. Megjithatë drejtuesi i mjetit, 35-vjeçari Renis Qosja, u shoqërua në komisariatin e Policisë Rrugore.
Aksidenti i rëndë shkaktoi trafik të rënduar në Unazën e Madhe, nga mbikalimi i Kinostudios deri tek mbikalimi i Paskuqanit.
Klan News