Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Shkodrës. Autoritetet bëjnë me dije se “si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes DVP Shkodër dhe Interpol Tirana, u organizua puna për kapjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar”.

Pas lokalizimit të vendndodhjes së personit të kërkuar, forcat e posaçme “Shqiponja” në afërsi të lagjes “Vojo Kushi”, Shkodër, bënë kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë të B. Th., 23 vjeç, banues në Plan, Shkodër.

Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vercelit, Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Vjedhje me armë në rrethana rënduese”.

Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 20 vjet burg, parashikuar nga legjislacioni penal italian./tvklan.al