Gruaja rrëfen si mësoi se ishte e adoptuar

Rubrika “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e Danitës. Ajo prej 18 vitesh jeton në Itali dhe ka ardhur në studio për të kërkuar nënën e saj biologjike.

Kur ishte në klasë të katërt, shokët dhe shoqet e klasës i thoshin se ajo mund të ishte e birësuar sepse mamja e saj ishte shumë e madhe në moshë. Fillimisht nuk ka dashur t’i besonte, por një ditë teksa ishte duke kontrolluar në dollap gjeti një letër, e cila tregonte gjithçka.

E tronditur pyeti mamanë e saj, e cila refuzoi t’i tregojë të vërtetën rreth nënës së saj biologjike. Për një kohë të gjatë nëna e saj, nuk i tregoi dhe Danita vendosi të largohet nga shtëpia dhe të shkojë në Itali me djalin që dashuronte.

Danita: Motivi im që kam ardhur këtu është edhe i mirë edhe pak i trishtuar, sepse kur kam bërë shkollën 8-vjeçare, më thonin në shkollë se mamja ime që e kishin parë, ndoshta nuk është mamaja jote e vërtetë se është shumë e madhe në moshë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte mamaja jote?

Danita: Unë kur kam bërë klasën e 4 ka qenë 53 vjeç. Po unë s’e kam besuar këtë gjë, se thoja e kanë bërë për lojë ose për shaka. Por brenda meje diçka ndryshonte. Babai im ka vdekur në ’91 kur unë isha 8 vjeç. Kam patur marrëdhënie shumë të mirë, kurse me mamanë pak a shumë, se babi ka qenë më shumë i lidhur pas meje dhe nuk i kam vënë re këtë gjë. Një ditë po kërkoja një palë pantallona, hap dollapin edhe kur mora pantallonat poshtë ra një letër e palosur.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Danita: Isha 17 vjeç! Lexova që në datë 20 Gusht të vitit ’83, në befotrofin e Durrësit ka lindur një vajzë me emrin Alketa dhe prindërit e birësuar janë Nashifer, që quhej nëna ime dhe Namik.

Ardit Gjebrea: Babai yt?

Danita: Po!

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ishte emri i nënës?

Danita: Kam parë emrin e mamasë sime që ishte Fatbardha. Kur më ka lënë mua në befotrofin e Durrësit ka qenë 17 vjeç.

Ardit Gjebrea: Aty çfarë mendove?

Danita: Atëherë mendova se ajo gjë që më kanë thënë në shkollë është e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Çfarë bëre pasi e lexove letrën?

Danita: Erdhi mami se kishte dalë dhe i them çfarë është kjo letër? Ajo u zbardh në fytyrë dhe filloi të qante. I thashë: Unë dua të vërtetën. Ajo tha jo të vërtetën nuk do ta them tani, por për një kohë do ta them. Dhe e lamë, nuk e bëra më këtë muhabet. Më pas më tha, unë tha nuk do të them kurrë historinë e mamasë tënde të vërtetë, por dua të të them që mamaja jote kur të ka lindur ka qenë 17 vjeç, të ka lenë në shtëpinë e fëmijës në Durrës. Mamaja jote ka studiuar për arkitekte, kështu më ka thënë mamja ime e adoptuar dhe s’më ka thënë gjë tjetër. Më ka thënë që mamja ime me origjinë ka qenë nga Fieri. Prindërit që të rrisin janë prindërit e vërtetë, por nuk mund ta gjykoj edhe mamanë time për çfarë motivi e ka bërë.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë mendoje gjatë asaj kohe?

Danita: Unë kur mora vesh këtë gjë i kam thënë mamasë sime: Dëgjo i thashë, nëse ti nuk më thua të vërtetën për nënën time biologjike, unë nuk dua të rri më me ty, sepse në atë kohë unë isha e lidhur me një djalë për 3 vjet.

Ardit Gjebrea: E dinte mamaja jote?

Danita: E dinte se e njihte, por nuk ishte asnjëherë dakord.

Ardit Gjebrea: Pse?

Danita: Si mamatë, nuk i pëlqente! I kam thënë mamasë sime: Jo unë e dua këtë djalë, edhe ti s’po më thua të vërtetën. Nëse ti më thua të vërtetën unë po rri me ty.

Ardit Gjebrea: Ky ishte një presion që ti i bëje mamasë, që të të tregonte të vërtetën?

Danita: Jo, nuk ishte presion, por unë doja të dija të vërtetën.

Ardit Gjebrea: Pse nuk ta thoshte mami? Kishte frikë?

Danita: Po kishte frikë se nëqoftëse i them, çfarë reagimi bëj unë. Shkoj e kërkoj, nuk shkoj e kërkoj.

Ardit Gjebrea: Kur ishte momenti përfundimtar kur i the mamit, po s’ma the unë do të iki dhe ike?

Danita: Jo i kam thënë unë po iki, se ti nuk po më thua të vërtetën. Ajo më hapi derën dhe më tha jo nuk dua ta them asnjëherë të vërtetën për mamanë tënde, se po ta them ti nuk do e besosh këtë të vërtetë sepse është gjë shumë e trishtuar dhe e rëndë për ty.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Danita: Nuk e kam marrë vesh për 36 vjet që jam tani!/tvklan.al