Apeli i motrës pasi prokurorët pushuan çështjen për vdekjen e vëllait

“Stop” rikujton rastin e transmetuar në 26 Mars 2019. Veronika Muka, një qytetare nga Gjirokastra denoncoi vdekjen e të vëllait në vendin e punës, në kompaninë e dajës së tyre Bashkim Graci. Ngjarja ndodhi në Shtator 2017 në lagjen “zinxhira”, ku i riu, punonjës mirëmbajtjeje në firmë kabllore, u ngjit në shtyllë e gjeti vdekjen nga korrenti.

Daja kërkoi që të mos bëhet autopsia e viktimës dhe i detyroi prindërit e tij të firmosnin në fletë të bardhë, ku shkruhej se kishin asnjë pretendim për aksidentin.

Veronika Muka iu drejtua prokurorisë, por prokurori Spartak Çoçoli vendosi mosfillimin e hetimeve dhe as që njoftoi të interesuarit për këtë. Sot pas 7 muajsh historia përsëritet, pasi Prokuroria e Gjirokastrës e pushon këtë çështje për herë të dytë.

Veronika thotë se vëllain ia kanë vrarë tre herë: në fillim humbi jetën aksidentalisht, herën e dytë e vrau prokurori Spartak Çoçoli, që pushoi çështjen dhe së treti e vrau prokurori Emëror Kasaj, që pushoi sërish çështjen.

“Mua nuk po ma vrasin një herë vëllain, siç ka ndodhur, por po ma vrasin 3 herë. Herën e parë vëllai humbi jetën. Herën e dytë e vrau Spartak Çoçoli duke mbyllur çështjen. Herën e tretë po e vret Emëror Kasaj. Ka bërë kërkesë në gjykatë për pushimin e çështjes. Mua më ka ardhur njoftim nga gjykata në datën 28 Shtator”.

Ajo i bën apel trupit gjykues të marrë një vendim të drejtë për humbjen e jetës së vëllait të saj.

“Çështja ka kaluar në gjykatë. Pasi shkova në datën 7 në gjykatë, Emëror Kasaj nuk ishte prezent dhe u shty data e seancës, 22 Tetor. Tani unë i jam drejtuar përsëri emisionit Stop, sepse pasi është bërë një punë voluminoze me dosjen falë emisionit tuaj, prokurori nuk ka marrë asgjë për bazë. Duke qenë se çështja është nënvlerësuar nga prokuroria, unë i bëj thirrje gjykatës dhe trupit gjykues të bëjnë një vlerësim të drejtë për vëllain tim, sepse bëhet fjalë për humbjen e një jete”./tvklan.al