Një burrë rreth të 40-tave është qëlluar për vdekje me armë zjarri në makinën e tij teksa po priste të birin tek dilte nga shkolla. Krimi ka ndodhur në sy të nxënësve të tmerruar jashtë shkollës St Mary’s Grammar në Belfast, në Irlandën e Veriut.

“Metro” raporton se Jim Donegan po priste të birin në Porschen e tij të kuqe, kur një tjetër burrë rreth të 40-tave iu afrua dhe e qëlloi disa herë, përfshirë të paktën një herë në kokë.

Autori i krimit, i cili mbante veshur një xhaketë në të cilën shkruhej “security” ia ka mbathur në këmbë. Në kërkim të tij janë vënë forca të shumta policie, ndërsa në vendngjarje është vënë kordoni i sigurisë dhe po kryhen hetime të gjera.

Dëshmitarët e shumtë okularë thanë se edhe nxënës mund të ishin vrarë nga të shtënat e shumta. Deputeti nga Belfasti Perëndimor, Paul Maskey, tha se ishte tepër shqetësuese që përveç të tjerash, vrasja ishte kryer në sy të qindra fëmijëve që po largoheshin nga shkolla në atë kohë.

“Të gjithë janë të shokuar, mendonin se këto kohë ishin lënë pas. Nuk ka vend për ngjarje të tilla në vitin 2018”, tha ai. /tvklan.al