Kozeta Çaushaj, 56-vjeçe, humbi tragjikisht jetën në Itali pasi u përplas nga një makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së enjtes, në Fano.

Sipas mediave italiane, Çaushaj po ecte me përdore anës rrugës me mbesën e saj 13-vjeçare, kur u përplas për vdekje.

13-vjeçarja në gjendje shoku

Kur shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarjes ishte tepër vonë. Përplasja kishte qenë fatale. Mbesa e saj fatmirësisht nuk pësoi dëmtime. Megjithatë ajo u dërgua në spital, në gjendje shoku.

Momentalisht nuk është e qartë përse 56-vjeçarja kishte dalë nga shtëpia në orët e vona të mbrëmjes. Ajo u përplas rreth një kilometër larg shtëpisë, në një rrugë të pandriçuar mirë.

Dyshimet e hetuesve janë se kishin dalë për shëtitje dhe për të hedhur plehrat.

Shoqërohet shoferja 35-vjeçare

Ndërkohë, policia e Cagli shoqëroi shoferen e makinës, një 35-vjeçare e cila udhëtonte me një Smart. Ajo nuk rezultoi të ishte nën efektin e drogës apo alkoolit dhe i priti autoritetet në vendngjarje.

“Kozeta ishte një grua e bukur, si nga brenda dhe nga jashtë. Një njeri i jashtëzakonshëm, e dashuruar pas mbesës”, tha një mikeshë e shqiptares për mediat italiane./tvklan.al