Parku kombëtar Lurë-Dejë, i dënuar më vdekje për një HEC

Këto pamje të mrekullueshme i përkasin parkut kombëtar Lurë–Dejë. Është një natyrë thuajse e egër, e paprekur dhe një mrekulli që mund të jetë një destinacion turistik. Por edhe kjo pjesë e natyrës është dënuar me vdekje nga qeveria, përmes projekteve të hidrocentraleve.

Banorët janë të vendosur që të vijojnë qëndresën e tyre deri në fund, në mbrojtje të burimeve ujore.

Në mbështetje dhe në mbrojtje të tokës së tyre kanë ardhur dhe shumë të rinj nga emigracioni.

Projekti për ndërtimin e  një hidrocentrali do të fusë në tuba të gjitha rrjedhat e ujit në një zonë të mrekullueshme natyrore, e shpallur park kombëtar që në vitin 1996, si pjesë e parkut Lurë-Dejë. Sipas banorëve i gjithë procesi është zhvilluar në mënyrë ilegale, duke manipuluar edhe firmat e tyre.

Banorët kanë ndjekur edhe rrugën gjyqësore, por betejën e parë e humbën. Gjykatësja Arbena Ahmeti, e ka rrëzuar padinë pasi një pjesë e firmëtarëve të saj nuk janë banorë rezidentë të fshatrave që dëmtohen nga hidrocentrali.

Gjithsesi beteja ligjore vijon. Punimet kanë avancuar në pjesën e Mirditës, ku janë shtrirë një pjesë e tubacioneve si dhe është hapur tuneli. Nga punimet që janë bërë deri më tani natyra ka pësuar shumë dëme. Madje është zhdukur edhe një burim mijëra vjeçar që njihet si Kroi i Kolës.

Por edhe pse është një terren i vështirë, turistët e huaj e kanë zbuluar këtë perlë të Shqipërisë. 

Madje një profesor dhe matematicien gjerman e vizitonte rregullisht prej 25 vitesh. Këtë vit pasi pa punimet ai ka lënë një letër ku tregon keqardhje për punimet që po bëhen në këtë zonë.

Klan Plus